Shqipëria gjatë ditës së sotme, 23 mars 2026, do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me vranësira mesatare deri të dendura në pjesën më të madhe të territorit, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.
Reshjet e shiut nisin në orët e para të mëngjesit me intensitet të ulët përgjatë Ultësirës Perëndimore. Gjatë mesditës dhe më tej, ato shtrihen në të gjithë vendin, herë pas here me intensitet të ulët dhe shtrëngata afatshkurtra, kryesisht në zonat malore.
Në mbrëmje, reshjet dobësohen dhe mbeten të pranishme kryesisht në jug dhe lokalisht në verilindje. Në zonat malore të verilindjes dhe juglindjes, mbi lartësitë 1000-1200 metra, priten reshje të dobëta dëbore.
Era dhe gjendja e detit
Era fryn nga drejtimi verilindje-veriperëndim me shpejtësi mesatare 5 m/s. Deti është relativisht i qetë, me valëzim 1-2 ballë në Adriatik dhe Jon.
Temperaturat
Temperaturat luhaten nga 4°C në mëngjes deri në 15°C në mesditë.