Klubi i Paris Saint-Germain ka shfaqur interesim për mesfushorin defensiv 18-vjeçar, Luis Pacheco, i cili është pjesë e akademisë së klubit brazilian Palmeiras. Sipas raporteve, parizienët po e monitorojnë situatën e tij dhe mund të paraqesin një ofertë konkrete në të ardhmen. Përveç rolit si mesfushor, Pacheco dallohet për shkathtësinë e tij, pasi mund të aktivizohet edhe si mbrojtës i majtë.
Lojtari ka lindur në Lajeado dhe debutoi në Serie A braziliane në vitin 2025. Deri tani, ai ka regjistruar gjithsej gjashtë paraqitje në elitë, me 105 minuta të luajtura, ku e fundit ishte më 12 shtator kundër São Paulos. Në rrafshin ndërkombëtar, Pacheco ka qenë pjesë e kombëtares së Brazilit U17 në Kupën e Botës 2025 në Katar, ku skuadra u rendit në vendin e katërt, ndërsa gjatë këtij viti është grumbulluar edhe me përfaqësuesen U20.
Transferimi i tij në Evropë mund të përballet me vështirësi, për shkak të politikës së Palmeirasit për të shitur talentet për shuma të larta. Klubi brazilian ka realizuar disa transferime të bujshme vitet e fundit:
• Estevao te Chelsea për 61.5 milionë euro
• Endrick te Real Madridi për 60 milionë euro
• Allan te Manchester City për 40 milionë euro
• Vitor Reis te Manchester City për 35 milionë euro
Në garë për shërbimet e Pachecos raportohet se janë edhe disa klube angleze, duke e bërë konkurrencën për lojtarin mjaft të fortë. PSG ka ndërtuar prej vitesh një strategji për afrimin e talenteve brazilianë, ku përfshihen emra si Gabriel Moscardo dhe Lucas Beraldo.