Parlamenti Europian ka regjistruar interes të lartë nga grupet parlamentare për raportin vjetor mbi Shqipërinë. Deri në afatin përfundimtar janë dorëzuar rreth 305 amendamente për t’u bashkëngjitur dokumentit final, që do të miratohet në Strasburg.
Një pjesë e amendamenteve janë hartuar nga eurodeputetë që njohin zhvillimet në Shqipëri, si David McAllister, kreu i komisionit të Jashtëm. Këto propozime janë më të fokusuara dhe pritet që shumica e tyre të përfshihen në raportin përfundimtar.
Amendamente të tjera janë propozuar nga grupet politike PPE dhe PSE, kryesisht nga eurodeputetë të veçantë, jo nga udhëheqësit e grupeve. Drafti përfundimtar do të hartohet nga relatori, krerët e grupeve dhe Komisioni Europian, me gjasa të ulëta për përfshirjen e plotë të këtyre amendamenteve.
Në ditët e ardhshme pritet publikimi i draftit përfundimtar, i cili do të votohet nga eurodeputetët. Opozita e Partisë Demokratike, udhëhequr nga Sali Berisha, ka angazhuar lobim në Bruksel dhe Strasburg për të ndikuar në raport.