Ndeshja mes Partizanit dhe Elbasanit, e vlefshme për javën e 22-të të kampionatit Abissnet Superiore, u mbyll me barazim 2-2 në stadiumin e kryeqytetit më 31 janar 2026.
Elbasani kaloi i pari në avantazh në minutën e 21-të me golin e Lajthisë, i cili shfrytëzoi një harkim nga e majta, goditi shtyllën dhe devijoi topin në rrjetë. Pak minuta më vonë, lojtari Janaček u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë skuadrën mike me 10 lojtarë. Në minutën e 36-të, Tsague goditi jashtë një penallti për Elbasanin.
Pjesa e parë u mbyll me barazimin e Partizanit në minutën e 41-të nga Xhuljano Skuka, i cili devijoi një pasim nga Kola. Në fraksionin e dytë, Partizani shënoi golin e avantazhit në minutën e 65-të me Isgandarli, pas një harkimi nga Sidibe.
Në minutën e 85-të, ndeshja u ndërpre për rreth 5 minuta për shkak të kolapsit të mbrojtësit të Partizanit, Saliou Sembene, i cili ra pa ndjenja në fushë. Stafet mjekësore të të dy ekipeve ndërhynë menjëherë dhe lojtari u dërgua jashtë me barelë, por u përmend dhe u qetësua.
Pas rifillimit, Elbasani sulmoi me forcë dhe gjeti barazimin në shtesën 90+1 me golin e dytë të Lajthisë, pas një goditjeje kënde dhe devijimi në zonë. Partizani krijoi më shumë raste, por nuk arriti të shënojë më.
Me këtë rezultat, Elbasani ngjitet në 39 pikë dhe vendin e dytë, baraz me kryesuesen Vllazninë që ka një ndeshje më shumë. Partizani mbetet i pesti me 27 pikë.
Përditësime
- Trajneri Kërnaja deklaroi: «Çdo gjë është e stabilizuar tashmë për lojtarin tonë, por kjo ngjarje ndikoi tek lojtarët dhe patjetër tek motivimi dhe impenjimi i tyre në minutat e fundit.»
- Konfirmohet se kolapsi i Sembene ishte vetëm momentor, pa probleme të mëparshme.