Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike reagoi ndaj vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për ta kaluar çështjen e gjyqtares së Gjykatës së Posaçme Irena Gjoka te Inspektor i Lartë i Drejtësisë.
Më 19 janar 2026, pas një verifikimi 20-mujor, Prokuroria e Përgjithshme përcolli në Këshillin e Lartë Gjyqësor rezultatet që konfirmojnë dënimin penal të Irena Gjokës nga autoritetet greke në vitin 2005 për falsifikim dokumentesh. Gjyqtarja kishte fshehur këtë dënim në formularin e dekriminalizimit, procesin e rivlerësimit kalimtar dhe emërimin në Gjykatën e Posaçme.
Në mbledhjen e së premtes, Këshilli i Lartë Gjyqësor refuzoi shqyrtimin e raportit dhe ia përcjell çështjen Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, sipas propozimit të një anëtari.
Reagimi i PD-së
Grupi Parlamentar i PD e cilësoi vendimin si papërgjegjës dhe të paprecedent, në kundërshtim me detyrimet kushtetuese dhe ligjore të Këshillit të Lartë Gjyqësor për vendimet mbi papajtueshmërinë dhe pazgjedhshmërinë e gjyqtarëve. Opozita pretendon se kjo ngre dyshime për pavarësinë dhe paanshmërinë e këtij institucioni, si dhe përpjekje për zvarritje të çështjes.
Sipas PD-së, vazhdimi i punës së një gjyqtareje të dënuar penale në Gjykatën e Posaçme dëmton besimin publik në drejtësi, ligjin e dekriminalizimit të 2015-ës dhe Reformën në Drejtësi të 2016-ës.
PD i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor të përfshijë çështjen në axhendë dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të zbatojë ligjin duke kërkuar menjëherë mbarimin e mandatit të gjyqtares.