Partia Demokratike ka denoncuar procedurat e ndjekura nga qeveria për realizimin e projektit “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”, duke kërkuar një hetim të plotë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Sekretarja për Çështjet e Pronave dhe Luftën kundër Korrupsionit në PD, Endira Bushati, deklaroi se pasuria publike po administrohet pa transparencë.
Sipas të dhënave të bëra publike nga PD, më 11 shkurt 2026, Komiteti i Investimeve Strategjike i akordoi kompanisë “RAMS Albania” sh.p.k. statusin e investitorit strategjik për një sipërfaqe totale prej 158,2 hektarësh. PD thekson se në vendimin fillestar të këtij komiteti ishte kërkuar konsolidimi i tokës dhe përditësimi i hartave kadastrale përpara çdo transferimi. Megjithatë, më 30 qershor, qeveria transferoi në Fondi e Pasurive të Paluajtshme rreth 885.557,6 metra katrorë, të cilat u vunë në dispozicion të subjektit privat me tarifën 1 euro/kontrata më 30 korrik.
PD ngre një sërë pikëpyetjesh lidhur me këtë procedurë:
- A janë përmbyllur verifikimet kadastrale përpara transferimit të pronës?
- Pse përzgjedhja e zhvilluesit u krye pa procedurë konkurruese?
- Cili është përfitimi ekonomik konkret për shtetin shqiptar nga tarifa e aplikuar?
- A janë respektuar kushtet e përcaktuara fillimisht nga Komiteti i Investimeve Strategjike?
Opozita gjithashtu vë në dukje se kjo procedurë bie ndesh me deklaratat e mëparshme të Kryeministrit Edi Rama më 9 qershor, i cili pati deklaruar përfundimin e misionit të ligjit për investimet strategjike. PD thekson se do të kërkojë shqyrtimin e të gjithë zinxhirit procedurial, nga dhënia e statusit strategjik deri te kontrata e vënies së pronës në dispozicion.