Partia Demokratike ka kërkuar vijimin e aksionit opozitar përmes një proteste të re, e cila është planifikuar të mbahet sot në orën 18:00 para ambienteve të Kuvendit. Kjo thirrje pason protestën kombëtare të zhvilluar paraditen e sotme kundër reformës territoriale, e cila mblodhi rreth 100 protestues. Selia blu ka vlerësuar energjinë e treguar gjatë paradites dhe u ka bërë thirrje mbështetësve të saj të ruajnë të njëjtin mobilizim në orët e pasdites.
Thirrja u drejtohet veçanërisht qytetarëve që nuk patën mundësi të merrnin pjesë më herët për shkak të angazhimeve në punë. Në mesazhin e shpërndarë për strukturat e saj, drejtuesit e partisë theksojnë rëndësinë e një pranie sa më të gjerë para Parlamentit, duke vlerësuar se orari i pasdites krijon mundësi më të mira për pjesëmarrje masive.
Në lidhje me personat e ndaluar gjatë zhvillimeve të paradites, mesazhi bën të ditur se partia ka marrë masa konkrete për mbrojtjen e tyre. Janë angazhuar avokatë, të cilët po ofrojnë asistencë ligjore dhe po ndjekin nga afër situatën e qytetarëve të shoqëruar nga forcat e policisë. Selia blu u ka kërkuar strukturave të saj që të njoftojnë sa më shumë persona për t'u bashkuar në protestën e orës 18:00.
Përditësime
Protesta kombëtare e paradites kundër reformës territoriale mblodhi rreth 100 qytetarë para Kuvendit.