Një incident detar ka ndodhur të martën në afërsi të ishullit Alcatraz, ku një varkë e identifikuar si “Volare” është përmbysur, duke shkaktuar humbjen e jetës së një personi dhe zhdukjen e tre të tjerëve. Varka 15-metërshe me tre kuverta, e cila transportonte 20 persona, kryesisht anëtarë të një familjeje që po merrnin pjesë në një ceremoni përkujtimore, u përfshi nga valët e forta dhe filloi të mbushej me ujë.
Departamenti i Zjarrfikësve të San Franciskos mori njoftimin për anijen në vështirësi në orën 15:37 sipas kohës lokale. Ndonëse raportimet fillestare kishin bërë fjalë për një anije në flakë, autoritetet sqaruan se nuk u gjetën prova për zjarr në vendngjarje, por se varka ishte përmbysur për shkak të kushteve të detit të trazuar.
Ekipet e shpëtimit, përfshirë Departamentin e Zjarrfikësve të San Franciskos dhe Roja Bregdetare amerikane, ndërhynë menjëherë. Një prej pasagjerëve, i gjetur në ujë në gjendje të rëndë, u shpall i vdekur pasi u dërgua në breg. Tre persona të tjerë të lënduar janë transportuar në spitalet lokale, ku ndodhen në gjendje të qëndrueshme, ndërsa 13 të tjerë janë shpëtuar pa lëndime.
Operacioni i kërkim-shpëtimit vazhdon intensivisht për gjetjen e tre personave të mbetur të zhdukur. Punonjësit e bregut, si Justin Marceline dhe peshkatari Mike Montoya, ndihmuan gjithashtu në nxjerrjen e të mbijetuarve nga uji, duke përshkruar një situatë kaotike për shkak të panikut dhe rraskapitjes së pasagjerëve.