Çifti i fermerëve Sokol Çela dhe Klodiana Çela nga Samatica e Beratit po përballen me një krizë të rëndë pas përmbytjeve të përsëritura në serën e tyre prej 4 dynymësh. Lumi Seman ka pushtuar serën tre herë brenda dy muajsh, duke shkatërruar të mbjellat e domates.
Fermerët akuzojnë lëshimin e digave nga njerëzit për këto përmbytje. “Ne nuk po na vjen nga zoti, por nga njeriu”, tha Sokol Çela, i cili ka mbi tre dekada përvojë në bujqësi. Ai kishte zgjeruar serën duke marrë kredi prej 35 mijë eurosh, por tani nuk pret asnjë kilogram prodhim në këtë sezon.
Klodiana Çela shprehu dëshpërimin: “Vij çdo ditë këtu dhe shkoj me lot në sy për në shtëpi”. Kësti i parë i kredisë është 1 milionë e 450 mijë lekë dhe vjen më 10 mars. “Tre herë doli lumi, unë 3 herë këtu në serë. Po më dha shteti do t’i laj”, u shpreh ajo.
Të dy kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë dëmshpërblim për të dalë nga kjo situatë dhe për të vazhduar punën në sezonin pranveror.