Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bëri homazhe në nderim të intelektualit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Idriz Rrecaj. Eshtrat e Rrecajt u gjetën në një varr masiv në Zubin Potok, pas 27 vjetësh.
Në një postim në Facebook, Rama vlerësoi jetën, veprën dhe sakrificën e Rrecajt, si dhe kontributin e tij për Kosovën në periudha të vështira. “Madhështia e njerëzve si Idriz Rrecaj qëndron pikërisht këtu: ata nuk pritën që liria të vinte për t’i shërbyer Kosovës. I shërbyen atëherë kur kjo mund t’u kushtonte gjithçka”, shkroi Rama.
Ai shprehu respekt dhe mirënjohje për familjen Rrecaj, e cila, sipas tij, për 27 vjet u përball me dhimbjen e mungesës dhe pasigurinë për fatin e të afërmit të saj. “Respekt dhe mirënjohje të thellë për familjen Rrecaj, e cila për 27 vjet e përballoi me dinjitet dhimbjen e mungesës dhe pasigurinë për fatin e më të dashurit të saj”, theksoi Rama.
Rama tha se gjetja e eshtrave në varrin masiv në Zubin Potok dëshmon se krimet e luftës nuk mund të fshihen me kalimin e kohës. “Gjetja e eshtrave të tij në një varr masiv në Zubin Potok është dëshmi se koha nuk i fshin krimet e luftës”, shkroi ai.
Në fund, Rama theksoi se, megjithëse Rrecaj u zhduk fizikisht, vepra, ideali dhe emri i tij nuk u zhdukën. “Idriz Rrecajn e zhdukën fizikisht, por nuk arritën ta zhduknin as veprën, as idealin, as emrin e tij. Lavdi e përjetshme!”, përfundoi ai.