Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës, ka njoftuar rikthimin e teleferikut të Gërmisë. Ai e cilësoi projektin si rikthim të një ndjenje nostalgjike dhe mundësi për brezat e rinj, duke e kthyer parkun në pistë skijimi dhe hapësirë për sporte të tjera rekreative.
Gërmia, e njohur si hapësirë e përbashkët dhe frymëmarrje e qytetit, paraqet potencial të pashfrytëzuar. Në një takim të zgjeruar me përfaqësues të komunitetit sportiv, organizatave rekreative dhe institucioneve relevante, u diskutuan hapat konkretë për realizimin e projektit, i cili po merr trajtë zhvillimore të qartë.
Duke qenë se Gërmia është zonë e mbrojtur, çdo hap do të ndërmerret me kujdes maksimal, në përputhje me standardet më të larta mjedisore dhe kornizën ligjore në fuqi. Në koordinim të ngushtë me institucionet qendrore, po punohet për qartësimin e procedurave dhe krijimin e bazës ligjore e teknike të nevojshme.
Rama e postoi njoftimin në Facebook, duke theksuar se një zhvillim i madh është në horizont.