Një incident ajror ka ndodhur pasditen e së dielës në zonën e Psathës, në perëndim të Athinës, ku dy helikopterë të marrë me qira nga Shërbimi Zjarrfikës i Greqisë u përplasën në ajër gjatë përpjekjeve për të shuar zjarret masive. Mjetet fluturuese, të tipit Bell, ishin nisur nga aeroporti ushtarak i Elefsinës dhe secili prej tyre kishte në bord një ekuipazh prej dy personash.
Sipas të dhënave zyrtare, dy anëtarët e ekuipazhit të helikopterit që u rrëzua pas përplasjes kanë ndërruar jetë. Anëtarët e ekuipazhit të helikopterit të dytë, i cili u rrëzua në një zonë pyjore, arritën të mbijetojnë dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm të Aviacionit 251. Në vendngjarje janë dërguar katër ambulanca të shërbimit EKAB dhe një njësi mjekësore e lëvizshme për të ndihmuar të prekurit.
Autoritetet kanë bërë të ditur se pilotët e helikopterëve ishin shtetas rumunë, ndërsa koordinatorët e misionit ishin grekë. Pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes tregojnë shkatërrimin e mjeteve ajrore pas përplasjes. Policia dhe grupi hetimor kanë nisur punën për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti, ndërsa sipas disa raportimeve, dyshimet e para përqendrohen te një gabim njerëzor gjatë manovrave për hedhjen e ujit mbi vatrat e zjarrit.
Përditësime
Ekipet e shpëtimit po vijojnë kërkimet për anëtarët e ekuipazhit të helikopterit të dytë që rezultojnë të humbur të zhdukur. Autoritetet konfirmuan se dy helikopterët u përplasën gjatë operacionit për shuarjen e zjarreve në zonën e Megarës. Flakët kanë shkrumbuar deri më tani 10,000 hektarë pyje, ndërsa pamjet nga vendngjarja konfirmojnë shkatërrimin e mjeteve ajrore dhe dëmet e mëdha mjedisore.
Autoritetet greke konfirmuan se bilanci i viktimave nga përplasja e dy helikopterëve gjatë shuarjes së zjarreve ka arritur në tre zjarrfikës, pas gjetjes së trupit të anëtarit të tretë të ekuipazhit. Banorët në Psatha e përshkruan përplasjen si një shpërthim gjatë operacionit të hedhjes së ujit. Dëshmitarët raportuan për intensitet ekstrem të zjarrit në zonën ku mjetet fluturonin në lartësi të ulët.
Hetimet teknike konfirmuan se dy helikopterë të tipit Bell 214ST, të marrë me qira nga kompania australiane McDermott Aviation, janë përfshirë në përplasje gjatë operacioneve të shuarjes së zjarreve. Eksperti i aviacionit Phaedon Karaiosifidis po shqyrton protokollet e koordinimit për të përcaktuar shkaqet e incidentit. Ndërkohë, autoritetet greke konfirmuan se nuk ka viktima civile. Përveç vatrës në Psathë, shërbimet zjarrfikëse po përballen me flakë aktive në Atikën Perëndimore, Beoti dhe Kefaloni.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis njoftoi se erërat me shpejtësi deri në 100 km/h po pengojnë operacionet ajrore për shuarjen e zjarreve. Për shkak të përparimit të flakëve, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e 8,000 personave në Kretë, ndërsa kushtet ekstreme meteorologjike e bëjnë ndërhyrjen e mjeteve ajrore pothuajse të pamundur në zonat kritike.
Sipas burimeve zyrtare, një prej pilotëve të viktimave ishte shtetas danez, duke korrigjuar raportimet e mëparshme për shtetësi rumune. Hetuesit dyshojnë se zjarri u shkaktua nga shkëndijat elektrike të kabllove në një park me turbina ere. Flakët kanë shkatërruar rreth 200 banesa, ndërsa autoritetet lokale po përdorin buldozerë për të hapur breza mbrojtës me qëllim frenimin e përhapjes. Policia ka kryer tashmë arrestimet e para në lidhje me shkaktimin e zjarrit.