Më 16 tetor, protesta u zhvendos pranë Kryeministrisë, ku nisën përplasjet mes protestuesve dhe policisë. Sipas raportimeve, protesta kishte mbërritur aty prej afro një ore. Protestuesit shkulën pllaka të trotuarit dhe i hodhën drejt efektivëve, ndërsa policia u kundërpërgjigj me lëndë plasëse dhe gaz lotsjellës.
Forcat e rendit tentuan herë pas here ta shtynin turmën më larg godinës së Kryeministrisë. Protestuesit u tërhoqën përkohësisht për shkak të gazit lotsjellës, por më pas u kthyen dhe rifilluan përballjen me policinë.
Një pjesë e efektivëve u pozicionua pas automjeteve ujëhedhëse. Burimet raportuan gjithashtu se punonjës policie me rroba civile qëndronin në gatishmëri për të ndërhyrë dhe për të kryer arrestime. Burimet nuk raportuan nëse pati persona të lënduar apo të arrestuar.