Protesta e 16 tetorit në Tiranë u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe policisë, përdorim të gazit lotsjellës dhe raportime për persona të lënduar. Pranë Kryeministrisë, një i mitur që mbante një flamur shqiptar u gjend mes protestuesve që hidhnin gurë dhe policisë që përdorte gaz lotsjellës.
Sipas Report TV dhe Shqiptarja.com, babai e çoi fëmijën pranë përplasjeve. Policia krijoi një kordon për ta larguar nga rreziku dhe shefi i Komisariatit nr. 1, Ervin Hasrama, i kërkoi babait disa herë të largohej me të. I rrituri kundërshtoi, duke thënë: “Le të na vrasin këtu. Do të vdes këtu. Ikni mos më prekni. Shikoni punën tuaj. Mos ma prekni fëmijën”. Sipas këtyre dy burimeve, policia e pengoi të kthehej drejt protestuesve dhe e zhvendosi pranë godinës së qeverisë. Fëmija ishte pa maskë dhe ndihej keq nga gazi; policët i dhanë maskë, ndërsa babai refuzoi ndihmën e ambulancës. Koha Jonë raporton se polici tentoi t’i jepte fëmijës maskë, por babai nuk e pranoi.
Më vonë, mediat raportuan për plagosjen e një vajze gjatë përplasjeve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Politiko, Albeu dhe Lapsi.al shkruajnë se policia përdori gaz lotsjellës dhe se vajza u lëndua mes turmës. Sipas këtyre burimeve, të pranishmit i dhanë ndihmën e parë dhe e larguan drejt një vendi më të qetë, ndërsa protestuesit kërkuan ambulancë. Gazeta Standard raporton se vajza dukej e gjakosur dhe me dëmtim në kokë, se pranë protestuesve ndodhej një ekip shëndetësor dhe se ambulanca e mori për trajtim. Sipas këtij burimi, gjendja e saj nuk ishte konfirmuar.
Në një raportim të publikuar më 15 tetor, Shqiptarja.com e identifikoi vajzën si Evanthi Pango dhe shkroi se dyshohej se ishte goditur në kokë nga një bombol gazi lotsjellës. Artikulli raportonte se ajo ishte dërguar në spital dhe ndodhej në gjendje të mirë, nën vëzhgimin e mjekëve.
Raportime të tjera për protestën e 16 tetorit përmendën përdorimin e gazit në Rrugën e Durrësit dhe irritime ose dëmtime në sy te disa të rinj. Gazeta Standard dhe Balkan Web shkruajnë se disa vajza u ndihmuan duke u shpëlarë sytë me solucion fiziologjik. Top Channel njoftoi se disa protestues kishin marrë me vete ujë fiziologjik dhe alkool për të lehtësuar shqetësimet nga lëndët irrituese.