Pianisti Kostandin Tashko, 24-vjeçar, debuton më 17 mars në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, ku interpreton për herë të parë me orkestrën e institucionit. Koncerti instrumental simfonik nis në orën 19:00 dhe drejtohet nga dirigjenti Sergio Alapont.
Programi përfshin Koncertin nr. 2 për piano dhe orkestër në Sol minor të Sergei Prokofiev, një vepër të njohur për virtuozitetin dhe intensitetin dramatik, si dhe pjesë nga Sergei Rachmaninoff, midis tyre Simfonia nr. 2 në Mi minor. Tashko shprehet se "është kënaqësi që të vij në TKOB e të luaj për herë të parë", duke theksuar se kjo vepër e Prokofiev-it "nuk është shumë e njohur për publikun këtu në Shqipëri".
Lindur në Tiranë, Tashko ka përfunduar studimet në Liceun Artistik, më pas është diplomuar në Trieste dhe ka ndjekur kurse në Londër, Graz e vende të tjera. Ai ka performuar në sallat prestigjioze të Venecias, Vjenës, Ljubljanës, Veronës, Triestës e Londrës. Finalist në konkurse ndërkombëtare për piano, është autor i dy albumeve solistike, me atë të fundit të transmetuar në RAI Radio 3.
Në moshën 24-vjeçare, Tashko është ndër artistët shqiptarë më të rinj të emëruar profesor në konservatorët muzikorë italianë, ku ushtron pedagogji prej 5 vitesh. Megjithatë, ai vlerëson se prioriteti i tij mbetet performimi në skenë: "Profesioni i pianistit është në majën e piramidës për nga vështirësia". Për talentet e reja shqiptare, ai shprehet se "ne kemi vërtet shumë talente dhe fatmirësisht tani po fillojmë të kemi infrastrukturën e duhur për t’i zhvilluar ato në mënyrë më profesionale".
Përditësime
Pianisti Kostandin Tashko është laureat i Ljubljana Festival International Piano Competition dhe Ferruccio Busoni International Piano Competition.