Platforma qytetare Liria ka Emër ka njoftuar zhvendosjen e aktiviteteve të saj në Hagë, duke filluar nga data 15 shtator. Në bashkëpunim me diasporën shqiptare, platforma do të organizojë aktivitetin e quajtur “Nata e Pritjes”. Përfaqësuesja e kësaj platforme, Eliza Hoxha, shprehu shpresën që data 16 shtator, kur është planifikuar shpallja e vendimit përfundimtar ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të shndërrohet në një ditë feste për vendin.
Në një konferencë për media të zhvilluar në Prishtinë, Eliza Hoxha falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen masive në “Marshin për Liri”, të mbajtur më 12 shtator në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë. Hoxha e cilësoi marshin si një aktivitet dinjitoz dhe madhështor, duke theksuar se populli i Kosovës i ka shpallur çlirimtarët të pafajshëm.
Gjatë fjalës së saj, Eliza Hoxha shprehu mirënjohje për institucionet e sigurisë, komunat për organizimin e “Orëve të Pritjes”, si dhe veteranët e UÇK-së për aktivitetet në shtatë Zonat Operative nën moton “Zjarret e Lirisë”. Po ashtu, platforma shprehu falënderime për bashkësitë fetare, partitë politike, komunitetet joshumicë dhe mediat për kontributin e tyre gjashtëvjeçar. Në të njëjtën ditë, platforma mori pjesë në konferencën “Lufta për UÇK-në”, ku u trajtuan çështje që lidhen me kujtesën kolektive dhe riinterpretimet që po derivohen nga proceset juridike në Hagë.