Para fillimit të ndeshjes së javës së pestë të La Ligës mes Elches dhe Real Madridit, e cila përfundoi me rezultatin 3-2, një pjesë e futbollistëve të ekipit madrilen zgjodhën të mos e mbështesin plotësisht iniciativën për solidaritet me banorët e Ceutës. Kjo nismë ishte organizuar si përgjigje ndaj krizës së emigracionit që përfshiu enklavën spanjolle në fund të muajit korrik, kur mijëra persona mbërritën nga Maroku.
Lojtarët Kylian Mbappé, Vinícius Júnior dhe Ibrahima Konaté nuk e shfaqën mbishkrimin "Todos somos Caballas" (Të gjithë jemi banorë të Ceutës), term që përdoret për vendasit e qytetit autonom. Mbappé dhe Vinícius e mbuluan mesazhin duke e ngritur fanellën deri në nivelin e gjoksit, ndërsa Konaté e mbajti bluzën në dorë. Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale nxitën kritika të ashpra nga një pjesë e publikut spanjoll, me thirrje për masa disiplinore ndaj futbollistëve.
Sipas raportimeve të medias spanjolle El Mundo, klubi i Real Madridit ka vendosur të mos ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj lojtarëve. Përfaqësuesit e klubit shpjeguan se vendimi i lojtarëve reflekton ndjeshmëri dhe perceptime të ndryshme mbi realitetin social. Në një komunikim fillestar, faqja zyrtare e Real Madridit kishte pohuar se të gjithë lojtarët kishin veshur fanellat e fushatës, duke mos përmendur shmangien e treshhes. Ndërkohë, burime të tjera si Bota Sot raportojnë se klubi ua kishte lënë lojtarëve lirinë për të zgjedhur nëse do të merrnin pjesë në këtë iniciativë ose jo.