Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e datës 22 korrik 2026 në fshatin Morinë të Kukësit, ku një pjesëtar i Njësisë së Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës u gjet i pajetë në ambientet e varrezave të fshatit. Viktima, e identifikuar si Sh.H., 35 vjeç dhe banues në Prizren, u konstatua pa shenja jete rreth orës 08:25.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Shtetit, nga veprimet e para hetimore dyshohet se 35-vjeçari i ka dhënë fund jetës me armë zjarri, lloji pistoletë. Arma është sekuestruar nga autoritetet në cilësinë e provës materiale për të vijuar ekzaminimet e nevojshme.
Aktualisht, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Në kuadër të procedurave ligjore, Policia e Shtetit ka vendosur bashkëpunimin me Policinë e Kosovës për të verifikuar nëse arma e sekuestruar në vendngjarje është arma e shërbimit të efektivit, si dhe për mbledhjen e çdo informacioni tjetër që do t’i shërbejë dokumentimit të plotë ligjor të rastit.
Përditësime
Policia e Kosovës ka konfirmuar se viktima e gjetur në Morinë është efektivi Shaban Hajdari. Zëdhënësi rajonal i Prizrenit, Shaqir Bytyqi, bëri të ditur se autoritetet kosovare po bashkëpunojnë me ato shqiptare për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Policia e Shtetit ka konfirmuar se arma e gjetur në vendngjarjen në Morinë është arma e shërbimit e viktimës, efektivit të Policisë së Kosovës. Pas përfundimit të analizave balistike, autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.