Policia e Kosovës ka arrestuar dy shtetas bjellorusë, një shtetas rus dhe një shtetas shqiptar në fshatin Arllat të Drenasit, në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30 të ditës së hënë, kur njësitë policore kanë ndaluar një automjet me targa të Shqipërisë, të drejtuar nga shtetasi shqiptar. Gjatë kontrollit është konstatuar se në automjet ndodheshin edhe dy shtetas bjellorusë dhe një shtetas rus.
Hetimet fillestare tregojnë se të katër dyshohen për kalim ilegal të kufirit nga Shqipëria në Kosovë. Të arrestuarit janë mbajtur fillimisht në stacionin policor të Drenasit, pastaj janë transferuar në Prishtinë.
Sipas një burimi, në hetim është përfshirë edhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI). Me vendim të prokurorit, të katër janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.
Raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës konfirmon: “Në automjet kishin qenë edhe tre të dyshuar meshkuj, dy shtetas bjellorusë dhe një shtetas i Rusisë, të cilët kishin kaluar ilegalisht kufirin Shqipëri–Republika e Kosovës. Katër të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”.