Në qytetin e Hagës, forcat e policisë kanë shtuar masat e sigurisë ndërsa qytetarët po mblidhen në prag të seancës së shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Në kuadër të këtyre masave, policia ka filluar konfiskimin e shtizave të flamujve, pavarësisht nëse ato janë prej druri apo metali.
Sipas njoftimeve nga terreni, këto masa janë ndërmarrë për të siguruar mbarëvajtjen e zhvillimeve dhe për të parandaluar incidente apo goditje të mundshme. Qytetarët, të cilët kanë mbërritur në Holandë me flamuj të Kosovës, Shqipërisë dhe platformës “Liria ka Emër”, janë udhëzuar të tregojnë kujdes dhe të shmangin vendosjen e objekteve që mund të vlerësohen si rrezik për lëndime në hapësirat publike rreth gjykatës.
Ndërkohë, raportimet nga media të ndryshme tregojnë për një mobilizim të shtuar të autoriteteve policore në zonat qendrore të qytetit, ku është planifikuar grumbullimi i qytetarëve për të përcjellë verdiktin final.