Specialistët për Hetimin e Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë nisur procedimin penal ndaj dy personave për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”.
Ngjarja është raportuar më 17 korrik 2026, rreth orës 14:00, kur gazetari Osman Stafa njoftoi se është ndier i kanosur nga dy persona që udhëtonin me një automjet në aksin rrugor Librazhd–Elbasan. Gazetari ndodhej në zonë për të verifikuar denoncimet e banorëve mbi ndotjen e lumit Shkumbin, ku kishte filmuar mjete të rënda duke nxjerrë zhavorr nga shtrati i lumit.
Pas administrimit të provave, policia ka identifikuar dhe proceduar shtetasit R. T., 33 vjeç, banues në Tiranë, dhe A. B., 31 vjeç, banues në Librazhd. Materialet procedurale i kanë kaluar organit të akuzës për hetime të mëtejshme.
Përditësime
Policia ka identifikuar dhe proceduar penalisht dy shtetas për kanosjen e gazetarit Osman Stafa: Renald Toli, 33 vjeç, dhe Ardjan Bici, 31 vjeç. Sipas gazetarit, autorët e kanë ndjekur me automjet dhe i kanë prerë rrugën për ta ndaluar, veprim të cilin ai e ka cilësuar si një akt kërcënues.
Hetimet lidhur me kanosjen e gazetarit Osman Stafa kanë zbuluar se autorët janë punonjës të një firme private. Sipas policisë, ata e kanë ndjekur mjetin e gazetarit për rreth 1 kilometër, përpara se t'i prisnin rrugën. Pas incidentit, Osman Stafa është paraqitur në komisariat për të bërë denoncimin.