Stacioni Policor në Malishevë ka ndërmarrë veprime hetimore pas informacioneve për përdorimin e armëve të zjarrit gjatë një ahengu familjar të zhvilluar më 9 gusht 2026 në fshatin Lladrovc. Pas hetimeve të zhvilluara, policia ka ushtruar kontroll në vendbanimin e personave të dyshuar.
Gjatë kontrollit në oborrin ku ishte organizuar ahengu, policia gjeti dhe sekuestroi 4 gëzhoja si dëshmi materiale. Ndërkaq, në automjetet e parkuara në afërsi të vendit, të cilat ishin në pronësi të personave të dyshuar, u gjetën dhe u sekuestruan tri armë:
• Një armë e gjatë automatike e tipit AK-47 me një karikator.
• Një armë e gjatë gjysmëautomatike.
• Një pistoletë me gaz me një karikator dhe 4 fishekë.
Në lidhje me këtë rast, janë intervistuar katër persona të moshës madhore, të cilët dyshohen se kanë përdorur armët e sekuestruara. Në konsultim me prokurorin e shtetit, është iniciuar rasti për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo i mjetit të rrezikshëm”. Rasti do të vazhdojë të trajtohet në procedurë të rregullt.