Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen që po zhvillohet në Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë të Forcave të Armatosura.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve të sigurisë kombëtare, ushtarake shqiptare dhe vendeve aleate e partnere nga Bullgaria, Greqia, Turqia, Italia, Hungaria, Kroacia, Kosova, Polonia dhe Jordania.
Presidenti Begaj përgëzoi Kolegjin për zhvillimin e këtij kursi dhe vlerësoi frymën e bashkëpunimit, ndërtimin e besimit dhe krijimin e lidhjeve midis profesionistëve civilë dhe ushtarakë nga vende të ndryshme.
Bashkëbisedimi u fokusua në zhvillimet gjeopolitike, sigurinë dhe rëndësinë e bashkëpunimit midis partnerëve dhe aleatëve. Në përgjigje të interesimit të pjesëmarrësve, Presidenti theksoi rëndësinë që ka për Shqipërinë stabiliteti dhe siguria në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Kreu i Shtetit vlerësoi se, pavarësisht progresit drejt integrimit Euroatlantik, zhvillimet politike në Ballkanin Perëndimor janë komplekse dhe se rajoni ka një rëndësi strategjike për Aleancën. Ai theksoi angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë për integrimin e Kosovës, shtimin e njohjeve të saj, anëtarësimin në NATO dhe pjesëmarrjen në misionet e Aleancës.