Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti këtë të hënë në një takim përfaqësues të Këshillave Ndërfetarë të Evropës, të cilët ndodhen në Tiranë në kuadër të Forumit Evropian “Shared Sacred Flourishing”.
Gjatë bashkëbisedimit, Presidenti Begaj vlerësoi rëndësinë e këtij forumi si një mekanizëm për forcimin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mes komuniteteve fetare në kontinentin evropian. Ai theksoi se Shqipëria përfaqëson një model unik të harmonisë, bashkëjetesës ndërfetare dhe mikpritjes, vlera këto që sipas tij janë pjesë thelbësore e identitetit kombëtar.
Kreu i shtetit u ndal në periudhën e diktaturës komuniste, duke u shprehur: “Megjithëse regjimi diktatorial e shpalli Shqipërinë vendin e parë ateist në botë, shembi objektet e kultit apo ndryshoi destinacionin e tyre, ai nuk arriti dot të zhbënte besimin e shqiptarëve në Zot”.
Në fjalën e tij, Begaj vlerësoi gjithashtu kontributin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në nxitjen e dialogut brenda vendit. Në përfundim, Presidenti nënvizoi se në një kohë të karakterizuar nga polarizimi dhe konfliktet, dialogu ndërfetar mbetet një instrument jetik për ndërtimin e urave të besimit dhe solidaritetit, duke konfirmuar se Shqipëria do të vazhdojë të promovojë këto vlera në arenën ndërkombëtare.