Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vizitoi sot Shtëpinë Muze të shkrimtarit Ismail Kadare në Tiranë, në përkujtim të 90-vjetorit të lindjes së tij.
Kreu i Shtetit vlerësoi veprën e Kadaresë dhe kontributin e tij në njohjen ndërkombëtare të identitetit dhe historisë shqiptare përmes letërsisë.
Gjatë vizitës, Presidenti Begaj deklaroi: «Muza e Kadaresë ishte Shqipëria. Por ai pati fuqinë e magjisë që me penën e tij të nxjerrë nga thellësitë e historisë mitet, kujtesën dhe dinjitetin e kombit tonë e t’i shndërronte në letërsi të papërsëritshme botërore».
Ai theksoi rëndësinë e përcjelljes së kësaj vepre te gjeneratat e ardhshme.
Mesazhi i plotë i Presidentit Begaj
«Muza e Kadaresë ishte Shqipëria. Por ai pati fuqinë e magjisë që me penën e tij të nxjerrë nga thellësitë e historisë mitet, kujtesën dhe dinjitetin e kombit tonë e t’i shndërronte në letërsi të papërsëritshme botërore. Sot, në 90-vjetorin e datëlindjes, vizitova muzeun e tij në Tiranë, shtëpinë ku ai shkroi pjesën më të madhe të veprave. Besoj se ne duhet të edukojmë fëmijët e të rinjtë që të vijojnë letërsinë e mrekullueshme të tij».