Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, ka hedhur poshtë spekulimet rreth planeve të mundshme të Rusisë për të sulmuar territorin e NATO-s. Në një intervistë për gazetën gjermane Bild, presidenti finlandez u shpreh se nuk ka gjetur prova apo fakte që vërtetojnë kërcënimet e përfolura nga Ministria e Mbrojtjes në Berlin, sipas të cilave Rusia mund të ndërmarrë një veprim ushtarak deri në vitin 2029.
Sipas Stubb, Rusia nuk ka interes të testojë vendosmërinë e aleancës, të cilën ai e cilësoi si fuqinë ushtarake më të fortë në botë, duke përmendur arsenalin konvencional, raketat dhe rezervat bërthamore. Ai shtoi se aktualisht Rusia është e angazhuar plotësisht në konfliktin në Ukrainë, duke bërë që mobilizimi në dy fronte të jetë një skenar i pamundur. Presidenti finlandez e përshkroi diskursin mbi kërcënimin rus si pjesë e një “lufte informacioni” që synon të krijojë frikë dhe pasiguri mes shteteve evropiane.
Lidhur me shqetësimet për përdorimin e armëve bërthamore, Stubb shprehu skepticizëm, duke nënvizuar se gjatë komunikimeve të tij, përfaqësues nga Kina kanë dhënë garanci se Pekini nuk do ta lejojë një zhvillim të tillë. Megjithatë, presidenti finlandez paralajmëroi se vendet anëtare të NATO-s, të cilës Finlanda iu bashkua në vitin 2023, nuk duhet të ulin vigjilencën. Ai bëri thirrje për përgatitje të vazhdueshme ndaj skenarëve më të këqij, si mjet për parandalimin e tyre, dhe rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën si një element thelbësor për sigurinë kolektive në Evropë.