Klubi i futbollit Prishtina u dënua nga Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës pas incidenteve të ndodhura në ndeshjen kampionale kundër Dritës.
Sipas raportit të delegatit të ndeshjes dhe pamjeve televizive, pas përfundimit të takimit tifozët vendas Plisat kaluan rrethojat e stadiumit dhe hynë në fushën e lojës. Ata u vërsulën në drejtim të tifozëve mysafirë të vendosur në tribunën veriore, me tendencë për përleshje mes grupeve të tifozëve.
Ndërhyrja e Policisë së Kosovës bëri që situata të vihej nën kontroll dhe të evitohej një incident më i madh.
Për shkak të lëshimeve në organizimin e ndeshjes, FC Prishtina u dënua me zhvillimin e dy ndeshjeve kampionale si vendas pa praninë e shikuesve. Kjo masë u bazua në nenin 18 paragrafi 1 si dhe nenin 36 paragrafi 1 pika A të Rregullores Disiplinore.
Klubi kryeqytetas u ndëshkua edhe financiarisht me gjobë prej 2000 eurosh, sipas nenit 6 paragrafi 1 pika C si dhe nenit 18 paragrafi 2 pika B dhe C të Rregullores Disiplinore.
Sipas vendimit, klubi ka afat 15 ditësh për të kryer pagesën e gjobës, nga momenti kur vendimi të bëhet i plotfuqishëm.