Tri shtetase të Kolumbisë kanë rënë pre e një grabitjeje në Prishtinë, ngjarje e cila është raportuar zyrtarisht në Policinë e Kosovës më 26 qershor. Sipas raportit policor, incidenti ka ndodhur më 17 qershor, rreth orës 22:00, në rrugën "Agim Ramadani".
Sipas dëshmisë së viktimave, ato janë përcjellë deri te banesa e tyre nga gjashtë persona të dyshuar. Autorët i kanë futur viktimat në një dhomë dhe, nën kërcënimin e thikës, u kanë grabitur katër telefona celularë dhe një shumë prej 300 eurosh.
Pas kryerjes së veprës penale, të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur. Policia e Kosovës ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë.