Profile të reja në Instagram, pa ndjekës dhe me pak postime, ndoqën në mënyrë të koordinuar, brenda një periudhe të shkurtër, llogaritë e mediave kritike dhe organizatave joqeveritare në Serbi. Kjo veprimtari çoi në pezullimin ose mbylljen e përkohshme të llogarive të tyre më 18 janar.
Një analizë e Radios Evropa e Lirë vërteton se bëhet fjalë për ndjekës të rremë. Shoqatat e gazetarëve dhe organizatat civile dyshojnë se ky është një veprim i qëllimshëm për të kufizuar shtrirjen e mediave që nuk kontrollohen nga autoritetet. U prekën më shumë se njëzet llogari, duke përfshirë mediat, fotoreporterët, organizatat e shoqërisë civile dhe aktivistët.
Kompania Meta, pronare e Instagram-it dhe Facebook-ut, e interpreton një rritje të tillë të ndjekësve si aktivitet të dyshimtë, që çon në pezullim ose mbyllje të llogarive. Bojan Perkov nga Fondacioni Share në Serbi, i specializuar në sigurinë digjitale, e cilëson këtë si rast të paprecedentë, pasi u prekën njëkohësisht aktorë të ndryshëm. Ai thekson se moderimi mekanik i Meta-s shpesh reagon ndaj llogarive që nuk i shkelin rregullat.
Shumica e llogarive u riaktivizuan një ditë më vonë. Meta konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ekipet e saj i rikthyen llogaritë e pezulluara gabimisht dhe po punojnë për masa parandaluese në të ardhmen.
Radio Evropa e Lirë kërkoi sqarime nga Prokuroria për Krime të Teknologjisë së Lartë në Serbi për hetimin e mbylljeve, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e artikullit.