Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka sekuestruar pasuritë e shtetasit E.Sh., i cili ndodhet nën hetim për veprat penale mashtrim (neni 143), fshehja e të ardhurave (neni 180) dhe pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale (neni 287) të Kodit Penal.
Hetimet, të nisura me procedimin penal nr. 1381 të datës 16 dhjetor 2021, kanë dokumentuar se E.Sh. është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme përmes një aktiviteti Call Center në qytetin e Fierit.
Autoritetet kanë konstatuar depozitimin e vlerave të konsiderueshme monetare cash në llogari bankare, pa justifikim të burimit ligjor të origjinës së tyre. Këto vlera dyshohet se janë investuar më pas në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, me qëllim transferimin dhe mbulimin e origjinës së paligjshme.
Në funksion të procedimit, ndaj E.Sh. janë caktuar masa sigurimi personal me karakter shtrëngues. Me kërkesë të Prokurorisë, në mbështetje të nenit 274 të Kodit të Procedurës Penale, Gjykata ka vendosur masën e sekuestrosë preventive mbi:
- Një njësi me sipërfaqe 230 m²;
- Një apartament me sipërfaqe 100 m².
Të dyja pasuritë ndodhen në Fier dhe synojnë parandalimin e transferimit të tyre për të siguruar efektivitetin e hetimeve.
Hetimet vazhdojnë për verifikimin e plotë të pasurive dhe dokumentimin e veprimtarive të dyshuara.