Prokuroria Themelore në Gjakovë ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore të Gjakovës për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Nexhdet Zymberaj (N.Z.), i dyshuar për vrasjen e Rasim Binakaj (R.B.).
Ngjarja ndodhi më 16 mars 2026, rreth orës 05:20, në lokalin “My Place” ose “M.P.” në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë. Sipas Prokurorisë, derisa i pandehuri ndodhej me E.M. dhe persona të tjerë në lokal, erdhi Rasim Binakaj. Pas një mosmarrëveshjeje, i pandehuri qëlloi disa herë me pistoletë të llojit TT me kalibër 7.62×25 mm në drejtim të tij.
Si pasojë, Rasim Binakaj mori plagë në pjesë të ndryshme të trupit dhe ndërroi jetë në afërsi të vendit të ngjarjes. I dëmtuari E.M. pësoi lëndime trupore dhe u dërgua në emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë për trajtim mjekësor. Të shtënat vunë në rrezik jetën edhe të personave të tjerë të pranishëm.
Prokuroria e ngarkon Nexhdet Zymberaj me veprën penale të vrasjes së rëndë sipas nenit 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe me mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve sipas nenit 366 paragrafi 1. Që nga 16 marsi 2026, ai gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh me vendim të Prokurorit të Shtetit.