Për të 24-tën ditë radhazi, banorët e Divjakës janë mbledhur në protestë për të kundërshtuar reformën administrative të propozuar nga mazhoranca, e cila parashikon shkrirjen e bashkisë së tyre dhe bashkimin me Bashkinë Lushnje. Pavarësisht një pjesëmarrjeje më të ulët krahasuar me ditët e mëparshme, qytetarët theksuan vendosmërinë e tyre për të vazhduar qëndresën.
Gjatë tubimit, protestuesit denoncuan atë që e cilësuan si presion verbal, si dhe vendosjen e gjobave ndaj bizneseve lokale. Sipas tyre, këto masa synojnë dobësimin dhe ndërprerjen e protestës. Banorët argumentojnë se çdo vendim për riorganizimin territorial duhet të reflektojë interesat e komunitetit dhe kërkojnë që Divjaka të vijojë të funksionojë si njësi vendore me vete.
Protesta përfundoi me një marshim në rrugët e qytetit, ku u përsëritën slogane si: “Mazniku propozon, Divjaka kundërshton”, “Divjaka bashki” dhe “Divjaka e qytetarëve, jo e pushtetarëve”. Në mbyllje, pjesëmarrësit paralajmëruan vijimin e qëndresës me thirrjen “Nesër më shumë”.