Protestat e përditshme në kryeqytet kundër qeverisë kanë vijuar në ditën e 96-të, me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Gjatë ditës së 95-të, qytetarët dhe aktivistët u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të marshuar drejt godinës së Kryeministrisë dhe më pas te Blloku i Sigurisë, ku mbahen 14 protestuesit e arrestuar një ditë më parë. Pjesëmarrësit, të shoqëruar nga studentë, kanë hedhur thirrje kundër qeverisë dhe kanë kërkuar lirimin e personave të ndaluar nga policia.
Ngjarjet e fundit janë shoqëruar me tensione të larta, veçanërisht pas përplasjeve të ditës së 94-të. Në atë rast, pasi mësuan se kryeministri ndodhej në zyrë, protestuesit u pozicionuan pranë hyrje-daljeve të godinës për rreth dy orë. Për menaxhimin e situatës, autoritetet vendosën forca të shtuara policore, përfshirë efektivë të FNSH-së dhe një autobot uji. Pas përplasjeve fizike, pati shoqërime të protestuesve në komisariate.
Gjatë tubimeve të fundit, protestuesit kanë paralajmëruar forma të reja të mosbindjes civile, duke përfshirë mundësinë e bllokimit të rrugëve kryesore. Vëmendja e organizatorëve është përqendruar te data 7 shtator, kur revolta pritet të arrijë në ditën e 100-të. Për këtë datë, protestuesit kanë bërë të ditur synimin për një mobilizim më të gjerë, me qëllim rrethimin e plotë të godinës së Kryeministrisë.