Protesta qytetare në Tiranë ka shënuar këtë të premte ditën e saj të 62-të radhazi. Dhjetëra qytetarë dhe aktivistë u mblodhën rreth orës 19:00 në Sheshin Skënderbej, për të vijuar më pas me një marshim përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit drejt godinës së Kryeministrisë. Kërkesat kryesore të pjesëmarrësve mbeten dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, largimi i tij dhe reformimi i sistemit politik në vend.
Gjatë tubimit, vëmendje e veçantë iu kushtua zhvillimeve më të fundit rreth ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Protestuesit ironizuan përmes pankartave vendimin e GJKKO-së për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj tij nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”. Një pankartë e spikatur shkruante: “I fshiu paratë e shëndetësisë me sterilizim. Tani fshin shtëpinë me regjim! Vjedh në spitale, mbrohet në pallate”.
Mesazhet e tjera të protestuesve përfshinin kërkesa për hetimin e zyrtarëve të lartë, me pankarta ku shkruhej: “Peshku i madh ha të voglin. Po peshkun e madh kush e heton? Të mëdhenjtë nuk janë mbi ligjin. Llogaridhënie për të gjithë! SPAK heton. Qytetarët presin përgjigje”.
Nuk munguan as mesazhet në gjuhën angleze, të cilat ironizonin etiketimet e mëparshme politike dhe kërkonin vëmendje ndërkombëtare. Protestuesit deklaruan se tubimet do të vijojnë edhe në javët në vazhdim, deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, të cilat u cilësuan si të panegociueshme. Protesta u shoqërua me fjalime dhe thirrje të shumta kundër qeverisë, ndërsa marshimi pritet të shtrihet edhe në rrugë të tjera të kryeqytetit pas përfundimit të qëndrimit përpara institucionit të Kryeministrisë.
Përditësime
Në ditën e 62-të të protestave kundër qeverisë në Tiranë, aktivistja Arvina Lleshi renditi 10 arsye për vazhdimësinë e tubimeve. Marshimi u zgjerua drejt ish-tregut Elektrik dhe Bulevardit Bajram Curri, ku pjesëmarrësit kërkuan ndëshkimin e kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Sipas Gazetës Tema, pjesëmarrja shënoi rënie krahasuar me ditët e kaluara. Organizatorët e shpallën moton e radhës: 'Nesër për Shqipërinë, jo për partinë'.