Protestat e zhvilluara në Tiranë dhe në qendra të ndryshme jashtë vendit, ku jeton diaspora shqiptare, kanë tërhequr vëmendjen e institucioneve të Bashkimit Evropian. Gjatë një diskutimi në Bruksel, eurodeputetja holandeze Anna Strolenberg u ndal te situata në Shqipëri dhe te arsyet që kanë shtyrë qytetarët të protestojnë kundër qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Sipas eurodeputetes, qytetarët kanë kërkesa të qarta që lidhen me standardet e jetesës dhe transparencën. Ajo theksoi se për sa kohë nevojat themelore, si uji i pijshëm, shëndetësia dhe pagat dinjitoze nuk plotësohen, qytetarët kanë të drejtë të pyesin nëse fondet publike po shpërndahen për popullsinë apo po përfitohen nga një grup i privilegjuar.
Në kuadër të këtij shqetësimi, Strolenberg bëri të ditur se do të ndërmarrë një vizitë në Shqipëri në fund të muajit qershor. Ky udhëtim synon të dëgjojë drejtpërdrejt shqetësimet e qytetarëve dhe të shqyrtojë mundësitë për mbështetje.
“Në fund të qershorit do të udhëtoj drejt Shqipërisë për të dëgjuar dhe për të gjetur ide që mund t’i marrim me vete, në mënyrë që të ndihmojmë”, u shpreh ajo.