Ditën e sotme, qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit zhvilluan një protestë në qytetin e Hagës. Ky tubim është pjesë e një vale protestash që po zhvillohen në Shqipëri dhe në vende të ndryshme ku jeton diaspora shqiptare.
Gjatë fjalimeve, pjesëmarrësit shprehën pakënaqësinë ndaj qeverisjes, duke e vënë theksin te largimi i shqiptarëve nga vendi për shkak të mungesës së alternativave. Ata kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar ekzekutivin si të korruptuar.
Sipas protestuesve, lëvizja e tyre synon t'i japë fund asaj që ata e shohin si keqqeverisje. Njëri nga protestuesit deklaroi gjatë tubimit: “Kështu do të arrijmë të rrëzojmë qeverinë e korruptuar. Na kanë përzënë nga shtëpitë tona për 35 vite. Shqipërinë e përfaqëson arti, folklori, kultura dhe tradita”.