Ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës në banesën e çiftit në fshatin Karkavec, në Njësinë Administrative Qukës. Sipas të dhënave paraprake, autori i dyshuar, Gani Danga, në gjendje të dehur, fillimisht ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, përpara se ta lyente atë me benzinë dhe t'i vinte flakën. Konflikti dyshohet se ka nisur për motive xhelozie, ndërsa autori i ka marrë gruas edhe telefonin celular.
E dëmtuara është transportuar fillimisht për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Elbasanit dhe më pas është transferuar në repartin e specializuar të djegieve në Tiranë. Sipas njoftimeve nga burimet spitalore, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka ndërhyrë pas denoncimit të fqinjëve dhe ka arrestuar 69-vjeçarin.
Sipas informacioneve të disponueshme, çifti jetonte i vetëm, pasi djali i tyre ndodhet në emigrim në Greqi. Viktima kishte qenë e pajisur me urdhër mbrojtjeje gjatë tre muajve të fundit për shkak të dhunës së vazhdueshme në familje. Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë të veprave penale dhe rrethanave të ngjarjes nën drejtimin e Prokurorisë.