Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dorëzuar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) deklaratën vjetore të pasurisë për vitin 2025. Sipas dokumentit, kryeministri ka përfituar 3,402,084 lekë pagë neto, ndërsa ka raportuar 10,904,091 lekë të ardhura shtesë nga burime të tjera, për të cilat nuk ka specifikim në formular. Për sa i përket llogarive bankare, ai ka raportuar një shtim prej 349,544 lekësh.
Bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama, ka deklaruar 6,699,149 lekë të ardhura nga punësimi, ekspertiza dhe qiradhënia. Ajo ka vijuar shlyerjen e dy kredive bankare, ku pagesat gjatë vitit ishin 338,700 lekë dhe 23,223 euro, ndërsa detyrimet e mbetura janë 4,748,969 lekë dhe 173,766 euro. Në deklarim përfshihet gjithashtu rivlerësimi i një apartamenti me sipërfaqe 118 m², vlera e të cilit figuron 19,296,477 lekë.
Në deklaratën e pasurisë për vitin 2025 figuron edhe djali i kryeministrit, Gregor Rama. Ai ka raportuar shtesa në llogaritë bankare prej 8,297 eurosh dhe 108,638 lekësh, ndërsa fondet e tij të investimit janë pakësuar me 16,445 euro. Po ashtu, Gregor Rama ka deklaruar 1,083,258 lekë të ardhura nga burime të tjera dhe një ulje të gjendjes cash me 2,500 euro.