Qeveria e Kosovës miratoi më 14 tetor Projektligjin për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave. Nisma synon të forcojë kapacitetet institucionale për parandalimin, përgatitjen dhe reagimin ndaj fatkeqësive natyrore dhe emergjencave të tjera.
Kryeministri Albin Kurti tha se projektligji synon të sigurojë mbrojtje më të mirë për qytetarët, ndihmë më të shpejtë dhe koordinim më të mirë ndërmjet strukturave përgjegjëse. Ai tha se qartësimi i përgjegjësive dhe financimit të agjencisë do të krijojë kushte për përgatitje më të mirë dhe veprim të koordinuar të strukturave të shpëtimit dhe mbrojtjes në të gjithë vendin. Kurti theksoi se vonesat gjatë emergjencave mund të kenë pasoja të pakthyeshme.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se projektligji përcakton kornizën ligjore për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave si agjenci ekzekutive në kuadër të ministrisë, si dhe qartëson përgjegjësitë institucionale në fushën e menaxhimit të emergjencave dhe mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore e emergjencat e tjera.
Sipas Sveçlës, projektligji përcakton kompetencat e agjencisë për vlerësimin dhe zvogëlimin e rreziqeve, planifikimin e masave për mbrojtje, shpëtim dhe ndihmë, si dhe organizimin e sistemeve të monitorimit, paralajmërimit dhe alarmimit. Ai parashikon hartimin e planit kombëtar të reagimit emergjent në bashkëpunim me ministritë dhe institucionet përkatëse.
Nisma përfshin organizimin, pajisjen dhe përgatitjen e strukturave të mbrojtjes, shpëtimit dhe ndihmës, si dhe koordinimin e mbikëqyrjen e tyre. Ajo parashikon zhvillimin e programeve për ushtrime, vlerësimin e gatishmërisë kombëtare, krijimin dhe mirëmbajtjen e rezervave materiale kombëtare, si dhe informimin e komunitetit për parandalimin dhe gatishmërinë ndaj emergjencave.
Sveçla tha se miratimi synon të krijojë bazë të qartë ligjore për ushtrimin e përgjegjësive të agjencisë, të përmirësojë koordinimin ndërmjet strukturave përkatëse dhe të forcojë kapacitetet institucionale për parandalim, gatishmëri dhe reagim ndaj emergjencave.