Giorgia Meloni njoftoi të dielën se qeveria italiane do të mblidhet të hënën për të vlerësuar kërcënimet ndaj rendit publik dhe për të shqyrtuar masat e reja të sigurisë pas përplasjeve të dhunshme të së shtunës.
Pas vizitës në spital tek dy oficerë policie të plagosur në Torino, Meloni tha se takimi do të përqendrohet në trazirat e fundit dhe në miratimin e mundshëm të rregullave të reja sipas një dekreti të propozuar për sigurinë. Në një deklaratë në platformën X, ajo u shpreh: "Ne do të bëjmë atë që është e nevojshme për të rivendosur rregullat në këtë vend".
Meloni e përshkroi dhunën si "aktivitet kriminal" të organizuar dhe jo si protestë. Ajo shtoi: "Kur godet dikë me çekiç, e bën këtë duke e ditur se pasojat mund të jenë shumë, shumë serioze. Kjo nuk është protestë, këto nuk janë përplasje. Kjo është tentativë vrasjeje".
Sipas autoriteteve italiane dhe agjencisë ANSA, u plagosën 108 anëtarë të forcave të sigurisë:
• 96 oficerë policie;
• 7 personel të Guardia di Finanza;
• 5 karabinierë.
Meloni i bëri thirrje gjyqësorit të zbatojë me vendosmëri ligjet ekzistuese, duke argumentuar se dështimi në të kaluarën ka dobësuar aftësinë e shtetit për të penguar dhunën. "Nëse nuk jemi në gjendje të mbrojmë ata që na mbrojnë, nuk ka sundim ligji", tha ajo.
Trazirat shpërthyen gjatë protestave kundër mbylljes së një qendre kulturore të krahut të majtë në qytetin verior Torino. Demonstrata filloi paqësore, por grupe personash të maskuar u shkëputën pas perëndimit të diellit dhe u përpoqën të thyenin kordonet e policisë në lagjen Vanchiglia. Policia raportoi se protestuesit hodhën shishe, gurë dhe pajisje ndezëse.
Përditësime
Policia italiane arrestoi tre persona – 22, 31 dhe 35-vjeç – për sulmin ndaj oficerit Alessandro Calista. Një 22-vjeçar nga Grosseto akuzohet për grabitje.
- Oficeri 29-vjeçar nga Padova, i sulmuar me çekiç, u lirua nga spitali të dielën.
- Mbi 20 individë janë raportuar me akuza të rënda; policia sekuistroi thika dhe armë të tjera.
- Ministrat kërkojnë ngritjen e akuzave për tentativë vrasjeje.
- Protestuesit vunë flakë kazanëve të plehrave dhe një automjeti të blinduar policie.