Këshilli i Ministrave miratoi më 5 nëntor 2026 kompensimin financiar për shoqëritë që kryejnë transport qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, në kushtet e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve. Sipas vendimit, shoqëritë do të përfitojnë 50 lekë për çdo litër karburanti të konsumuar nga qershori deri në tetor 2026. Fondi i parashikuar është 209 milionë e 22 mijë e 872 lekë dhe do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2026.
Kompensimi llogaritet mbi karburantin e konsumuar gjatë pesë muajve, por sasia e mbuluar nuk mund të kalojë 110% të konsumit mesatar mujor të secilës shoqëri gjatë marsit, prillit dhe majit 2026. Për shoqëritë që nuk kanë ushtruar veprimtari gjatë gjithë kësaj periudhe, si bazë referimi merret konsumi mesatar mujor në muajt e plotë kur kanë qenë në veprimtari. Përllogaritja mbështetet në dokumentet provuese të paraqitura nga subjektet dhe të verifikuara nga administrata tatimore.
Shoqëritë duhet të paraqesin vetëm një kërkesë pranë administratës tatimore ku janë të regjistruara, pas përfundimit të periudhës së kompensimit. Dokumentacioni përfshin formularin përkatës, kopjen e licencës së vlefshme, të dhënat identifikuese dhe numrin NIUS, emrin e bankës, IBAN-in në lekë dhe faturat e furnizimit me karburant për periudhat mars–maj dhe qershor–tetor 2026.
Shoqëritë që kryejnë edhe veprimtari të tjera duhet të paraqesin, gjithashtu, vetëdeklarimin e sasisë së karburantit të përdorur për transportin, të shoqëruar me faturat e blerjes, si dhe fletëdaljet e karburantit sipas targave të mjeteve.
Kërkesat paraqiten pas datës 10 të muajit pasardhës, duke filluar nga nëntori, dhe pranohen deri më 16 nëntor 2026. Administrata tatimore verifikon dokumentet; nëse ato janë të paplota ose kanë mangësi, kërkesa i kthehet subjektit për plotësim brenda pesë ditëve pune. Pas verifikimit, urdhërshpenzimet i përcillen Thesarit brenda 15 ditëve pune, ndërsa pagesa kryhet brenda pesë ditëve pune nga marrja e dokumentacionit. Vendimi hyn në fuqi menjëherë.