Këshilli i Ministrave zhvilloi më 6 maj mbledhjen e radhës, ku miratoi vendime për dëmshpërblimet e ish-të përndjekurve politikë dhe zhvillimin rural.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi ndryshime në vendimin VKM-në 419. Këto parashikojnë pagesën e menjëhershme brenda këstit të radhës për dëmshpërblimet deri në 1 milion lekë. Brenda 4-5 viteve pritet të përfundojë pagesa për rreth 6 mijë dosje nga totali i 10 mijë e 360 në proces.
Ndryshimet reduktojnë intervalin mes kësteve në 2-2.5 vite, nga 3.5-4 vite më parë. Fondi vjetor aktual është rreth 1.5 miliardë lekë, me parashikim rritjeje për të rritur efikasitetin e procesit.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, shpalli miratimin e tre bashkive të reja në Paketën e Maleve: Delvinë, Konispol dhe Pogradec. Procesi i aplikimeve ka avancuar në shumicën e bashkive, me pritshmëri për përfundim brenda majit.