Qeveria miratoi më 3 nëntor Propozimin e plotësuar për ribalancimin e Buxhetit të vitit 2026, pas përfundimit të shqyrtimit në Komisionin për Financim dhe Buxhet. Dokumenti do t’i dorëzohet sërish Kuvendit për miratim në seancë plenare.
Propozimi përfshin rialokime të mjeteve ndërmjet shfrytëzuesve buxhetorë. Sipas Ministrisë së Financave, ato synojnë harmonizimin e realizimit me vlerat e planifikuara deri në fund të vitit dhe mundësimin e pagesave prioritare.
Me ndryshimet e propozuara, të ardhurat e përgjithshme buxhetore parashikohen në 374.2 miliardë denarë, rreth 5.3 miliardë denarë më pak krahasuar me projeksionet e mëparshme. Shpenzimet e përgjithshme buxhetore janë ulur me të njëjtën shumë dhe planifikohen në 420.5 miliardë denarë.
Deficiti buxhetor mbetet në 46.3 miliardë denarë, ose 3.9% të PBB-së. Projeksioni për rritjen ekonomike në ribalancin e propozuar të Buxhetit për vitin 2026 është 4.3%.
Ministria e Financave thotë se ndryshimet dhe plotësimet synojnë përshtatjen me kushtet e reja ekonomike, ecurinë e të ardhurave dhe shpenzimeve gjatë vitit, si dhe ritmin real të realizimit të shpenzimeve.