Dhjetëra qytetarë janë mbledhur paraditen e sotme përpara godinës së Bashkisë Patos për të kundërshtuar ndryshimet e propozuara në reformën e re administrative. Me slogane si “Larg duart nga Patosi”, banorët shprehën shqetësimin se bashkimi mekanik me Bashkinë Fier cenon identitetin, përfaqësimin dhe të ardhmen e komunitetit të naftëtarëve. Protestuesit argumentuan se një proces i tillë administrativ duhet të mbështetet në kritere objektive, analiza ekonomike dhe financiare, si dhe në konsultime të drejtpërdrejta me banorët, duke paralajmëruar se tubimet do të vazhdojnë deri në një reagim zyrtar. Ata e konsideruan reformën si një kërcënim për shpopullimin e qytetit, duke nënvizuar kontributin historik të naftëtarëve në zhvillimin e zonës.
Nga ana tjetër, kryebashkiaku Fation Duro ka bërë të ditur se raporti përfundimtar i Komisionit e rendit Bashkinë Patos ndër më funksionalet në nivel kombëtar, duke iu referuar një rezultati prej 71.7 pikësh në Indeksin e Funksionalitetit të Bashkive (IFB). Protesta të ngjashme kundër ndryshimeve territoriale janë zhvilluar ditët e fundit edhe në qytete të tjera, përfshirë Korçën, Vlorën, Fushë-Arrëzin dhe Klosin.
Përditësime
Partia Socialiste dorëzoi sot në Kuvend draftin për reformën e re territoriale, që parashikon shkrirjen e 15 bashkive. Sipas planit: 33 bashki do të mbeten të pandryshuara, ndërsa 28 të tjera do t'i nënshtrohen ndryshimeve kufitare. Drafti propozon gjithashtu një status të veçantë ligjor për qytetet e reja, të cilat do të kenë një nënkryetar të dedikuar për koordinimin administrativ. Ndërkohë, vala e protestave kundër këtij projekti është zgjeruar nga Patosi drejt Poliçanit, Divjakës dhe Dimalit.
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar zyrtarisht nga të gjithë kryebashkiakët qëndrime me shkrim mbi projektin e ri të reformës territoriale. Në këtë kontekst, janë shtuar zërat kundërshtues në disa bashki:
• Libohovë: Këshilli Bashkiak votoi unanimisht kundër shkrirjes së kësaj bashkie.
• Klos: Këshilltarët kërkuan mbledhje urgjente për një rezolutë kundër bashkimit me Bashkinë Mat.
• Rrogozhinë: Punonjësit bojkotuan punën në shenjë proteste ndaj planit për t’u bashkuar me Bashkinë Kavajë.
• Patos: Qytetarët po protestojnë kundër planit për bashkimin me Bashkinë Fier.