Përballja midis Izraelit dhe Kosovës, e vlefshme për Grupin B3 të Ligës së Kombeve, do të zhvillohet të enjten në orën 20:45 në stadiumin “Nagyerdei” të Debrecenit. UEFA i ka besuar drejtimin e këtij takimi gjyqtarit rumun Radu Petrescu, i cili do të shoqërohet nga asistentët Radu Ghinguleac dhe Cosmin Bojan, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Florin Andrei. Në ekipin e VAR-it janë përcaktuar Catalin Popa dhe Ovidiu Hategan.
Emërimi i Petrescut vjen në një periudhë me zhvillime të rëndësishme për karrierën e tij. Në shtator, Komisioni Qendror i Gjyqtarëve të Rumanisë rekomandoi përjashtimin e tij nga lista e arbitrave të FIFA-s për vitin 2027. Ky vendim pritet të miratohet nga FIFA në dhjetor dhe të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, duke propozuar gjyqtarin Catalin Roman si zëvendësues.
Sipas mediave rumune, vëmendja ndaj 43-vjeçarit lidhet me disa ngjarje të mëparshme në futbollin rumun:
- Në korrik, Petrescu nuk arriti t’i përfundonte me sukses testet fizike para fillimit të sezonit të ri në Superligën rumune.
- Në shkurt, ai u dënua me pezullim prej 12 ndeshjesh nga Komisioni Qendror i Gjyqtarëve pas ndeshjes Petrolul - FC Argeș, ku anuloi një gol për një faull të diskutueshëm në sulm, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen e sistemit VAR.
Përkundër këtyre zhvillimeve, UEFA ka vazhduar të tregojë besim te gjyqtari rumun, duke e deleguar atë edhe në ndeshje të tjera ndërkombëtare, siç ishte rasti i përballjes Motherwell - Freiburg në gusht, të vlefshme për Ligën e Konferencës. Ndërkohë, në median rumune janë ngritur pretendime lidhur me shitjen e sendeve personale si fanella apo bexha përmes rrjeteve sociale, akuza të cilat gjyqtari i ka mohuar kategorikisht.