Partia Demokratike zhvilloi protestën e katërt kombëtare para Kryeministrisë, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë, më 20 shkurt 2026. Mbështetësit u mblodhën fillimisht te selia e partisë dhe marshuan drejt sheshit kryesor.
Protesta nisi me himnin kombëtar dhe fjalën e parë nga aktorja Rajmonda Bulku. Ajo kujtoi 20 shkurtin 1991, kur qytetarët u bashkuan me grevën e studentëve kundër ushtrisë në krye të së cilës ishte Partia Komuniste. «Ju falënderoj që sot doni edhe nga unë një fjalë. Të them dhe të kujtoj atë ditë historike të 20 shkurtit 1991, kur ne ishim të gjithë bashkangjitur me grevën heroike të studentëve tanë. Nuk patëm frikë. Luftuam kundër një ushtrie që nuk duhet harruar se kishte Partinë Komuniste në krye. Kishim një frymë të gjithë bashkë, hoqëm frikën dhe morëm guximin tonë sepse deshëm lirinë, deshëm të rrëzonim sistemin që na kishte zaptuar dhe marrë lirinë tonë për shumë vite», tha ajo.
Rajmonda Bulku thirri për rikthimin e asaj fryme për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. «Dua të kujtoj atë frymë dhe ta sjellim këtu sot, atë dëshirë për të jetuar bukur në Shqipërinë tonë të bukur që na ka falur Perëndia. Ta bëjmë për jetët tona, për fëmijët tanë, për nipërit tanë. Të kenë mundësi të jetojnë më mirë, të punësohen këtu dhe të mos braktisin këtë vend të bekuar. Zoti ka bekuar Shqipërinë, por Zoti bekoftë edhe shqiptarët», u shpreh aktorja.
Sali Berisha iu drejtua protestës së bashku me drejtues të tjerë të PD-së dhe aleatëve. Protesta synon largimin e qeverisë dhe thekson nevojën për ndryshim e bashkim qytetar.
Përditësime
- Policia e Tiranës nuk e ka autorizuar protestën e PD-së (Mapo).
- Sali Berisha qëndroi për rreth 30 minuta në selinë e PD-së para se të bashkohej me protestuesit (Bota Sot).
- Rajmonda Bulku është ish-deputete e PD-së (Mapo).