Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një reagimi në rrjetet sociale, ka denoncuar përjashtimin e tij nga forumi “Road to 2030: Kosovo on the Mediterranean Stage”. Ai pretendon se organizatorët, European Investors Council (EIC), kanë vepruar nën presionin e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Sportit të Qeverisë së Kosovës.
Rama e ka cilësuar këtë veprim si një vendim politik dhe jo si një çështje protokollare. Sipas tij, përpjekja për ta përjashtuar kryetarin e qytetit nikoqir të Lojërave Mesdhetare 2030 nga një forum që kërkon koordinim dhe partneritet, dëshmon mentalitetin qeverisës të kryeministrit Albin Kurti. Ai vlerësoi se projekti për vitin 2030 nuk duhet të përdoret si instrument për interesa partiake ose kontroll politik.
Në deklaratën e tij, Rama theksoi se pavarësisht ndikimit të mundshëm në listën e folësve, vetë projekti i Lojërave Mesdhetare është më i rëndësishëm se përplasjet politike dhe çështjet personale. Kryetari i Prishtinës e konsideroi absurditet institucional faktin që ai nuk është përfshirë në ngjarjen që lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e kryeqytetit të tij. Ai deklaroi se “Prishtina 2030 nuk është pronë politike e askujt” dhe se përbën një përgjegjësi institucionale ndaj qytetarëve dhe sportistëve.