Kryeministri Edi Rama zhvilloi më 2 mars një bisedë telefonike me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, ku dënoi sulmet e fundit të Iranit ndaj këtij vendi.
Gjatë bisedës, Rama i cilësoi sulmet si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së OKB-së. Ai theksoi se Shqipëria qëndron në krah të Emirateve për çdo masë që ato marrin për mbrojtjen e sovranitetit dhe sigurisë së tyre. Presidenti i Emirateve falënderoi Shqipërinë për mbështetjen dhe solidaritetin në këtë situatë.
Të dy liderët diskutuan gjithashtu për përshkallëzimin e shpejtë ushtarak në rajon. Ata bënë thirrje që tensionet të ndalen sa më parë dhe konflikti të mos zgjerohet, pasi rrezikon të fusë Lindjen e Mesme në një fazë të rrezikshme paqëndrueshmërie, me pasoja për sigurinë globale.
Përshkallëzimi në Lindjen e Mesme nisi pas sulmeve të përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit gjatë fundjavës. Situata u agravua me vrasjen e liderit suprem iranian, e cila u pasua nga kundërpërgjigjja e Teheranit. Irani lëshoi qindra raketa balistike dhe dronë drejt Izraelit dhe vendeve të Gjirit Persik, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Omanin, Bahreinin, Kuvajtin dhe Katarin.
Edhe pse këto shtete nuk morën pjesë zyrtarisht në operacionet fillestare, ato strehojnë baza ushtarake amerikane, duke i kthyer në objektiva të drejtpërdrejta. Mes goditjeve ishin zona pranë bazave të rëndësishme në Bahrein dhe Katar. Analizat ndërkombëtare e cilësojnë strategjinë e Iranit si përpjekje për të rritur koston për fqinjët dhe për të destabilizuar rajonin.
Përditësime
Kryeministri Edi Rama, në bisedë telefonike me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, cilësoi sulmet e Iranit si refleks të një sistemi të destinuar për dështim dhe përpjekje të dëshpëruara për cenimin e stabilitetit në Lindjen e Mesme.
Rama paralajmëroi se Shqipëria do ta rendisë Gardën Revolucionare Islamike të Iranit si organizatë terroriste, njësoj si SHBA.
Ai u bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të flasë me qartësi dhe unitet.