Kryeministri Edi Rama deklaroi më 16 janar 2026 se Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) është një dështim dhe hodhi në tavolinë opsione si mbyllja, privatizimi apo partneriteti publik-privat.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) reagoi menjëherë me një deklaratë ku shprehu shqetësim të thellë. Sipas AGSH-së, kjo retorikë stigmatizon median publike dhe cenon parimet e shërbimit publik mediatik si dhe standardet evropiane për lirinë e medias. RTSH-ja nuk është thjesht një ndërmarrje financiare, por institucion i interesit publik që garanton informim të paanshëm, kulturë, edukim dhe akses të barabartë për qytetarët.
AGSH-ja vlerëson se përgjegjësia për dështimet strukturore nuk i takon vetëm institucionit, por vjen nga ndërhyrjet politike, emërimet e kontestuara, mungesa e transparencës dhe paqëndrueshmëria financiare për vite me radhë. Refuzimi i financimit publik shihet si mjet presioni politik që rrezikon pavarësinë e medias. Asociacioni kërkon që çdo reformë të ndërtohet mbi dialog të gjerë me gazetarët, shoqërinë civile dhe ekspertët, duke respektuar praktikat evropiane dhe rekomandimet ndërkombëtare. Opsionet si mbyllja apo privatizimi konsiderohen masa ekstreme që dëmtojnë pluralizmin mediatik dhe të drejtën e publikut për informim.
Financimi dhe historia e reformave
RTSH-ja financohet nga një tarifë modeste, më pak se 1 euro në muaj për familje, më e ulëta në kontinent, ndërsa shteti mban 10% të saj si agjent tatimor. Me këto fonde të kufizuara, kërkohen shërbime të nivelit nordik.
Reforma në periudhën 2016-2021, nën drejtimin e Thoma Gëllçit, dëshmoi mundësinë e modernizimit: u hartuan parimet editoriale, strategjia e zhvillimit dhe plani i biznesit; RTSH-ja kishte zero borxh dhe paketa të plotë sportive, përfshi Champions League-në. Publiku e mbështeti këtë përpjekje si alternativë dinjitoze.
Megjithatë, pengesa erdhën nga tranzicioni digjital: qeveria subvencionoi privatët me miliona euro, ndërsa RTSH-ja u ngarkua me kredi 25 milionë eurosh plus 4 milionë euro TVSH. Ndërhyrjet politike dhe çështja RTSH–Agro, hetuar nga SPAK për një tender të vonuar katër ditë, e kthyen institucionin pas. Sot, RTSH-ja jeton me mentalitet mbijetese dhe shmang raportimin kritik ndaj pushtetit.
Përditësime
Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, reagoi ndaj deklaratës së Kryeministrit Edi Rama për RTSH-në. Ajo e cilësoi RTSH-në pasuri kombëtare, jo organ qeveritar, dhe propozimin e tij për mbyllje si antieuropian.
Zhupa akuzoi PS-në për:
- Kapje politike të RTSH-së;
- Shkelje të ligjit për Këshillin Drejtues;
- Emërime politike të drejtorëve Thoma Gëllçi, Enkel Joti dhe Alfred Peza.
Ajo kërkoi falje publike nga PS-ja dhe citon procesverbalet e komisionit parlamentar 2021-2025 si provë të mungesës së reformave. Rama propozoi mbyllje përkohëshme të RTSH-së deri në reformë, sipas CNA.al.
Zhupa shprehu dyshime se sulmi ndaj RTSH-së favorizon oligarkët e ndërtimit për truallin e godinës në Tiranë, si dhe oligarkët mediatikë që synojnë të eleminojnë konkurrencën për të drejtat sportive dhe festivalet.
Ajo deklaroi se është pjesëmarrëse në betejat publike dhe institucionale kundër humbjes së RTSH-së, duke cituar proces-verbalet deri në maj 2025.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) kundërshtoi mbylljen e RTSH-së dhe planifikon qëndrim zyrtar më 19.01.2026.
Punonjësit e RTSH-së nisën peticion për:
- autonomi reale;
- zgjedhje të lira;
- largim të politikës nga emërimet drejtuese.
Ata theksuan ndërhyrjet politike për më shumë se 30 vjet.