Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim gjatë mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar, ku ka reflektuar mbi protestat që zhvillohen prej më shumë se 50 ditësh para zyrës së tij.
Sipas Ramës, rezultati zgjedhor që i dha Partisë Socialiste 83 mandate në qershorin e shkuar, shërben si një forcë shtytëse për transformimin e vendit, por krijon edhe një mbipeshë në pritshmëritë e qytetarëve. Kryeministri theksoi se sot qytetarët nuk bëjnë më krahasime me të kaluarën, por me standardet e Evropës së zhvilluar, gjë që e bën çdo problematikë të perceptohet më rëndë.
Kreu i qeverisë nënvizoi se qeveria nuk duhet të ankohet, por të pranojë këtë realitet dhe të angazhohet për të përmirësuar komunikimin me publikun. Ai pranoi se arritjet e qeverisë shpesh nuk dëgjohen ose përjetohen si arrogancë për shkak të mungesës së empatisë. Sipas Ramës, një e vërtetë e thënë pa empati rrezikon të humbasë përballë një gënjeshtre që përcillet me ndjeshmëri njerëzore.